/ Politikë

Rama pret në zyrë Traktatin e Fshehtë të Londrës

|Nga: Redaksia Lemza
Rama pret në zyrë Traktatin e Fshehtë të Londrës

TIRANË — KM Edi Rama ka zhvilluar sot një takim kokë më kokë me një armik të vjetër të trojeve shqiptare: Traktatin e Fshehtë të Londrës të vitit 1915.

KM e priti dokumentin historik që copëtoi Shqipërinë me një përqafim të ngrohtë, duke i kërkuar ndjesë publike që qeveritë e kaluara kishin treguar “një kokëfortësi patriotike të dalë boje” duke e anatemuar.

Sipas burimeve nga Kryeministria, sapo Traktati u ul në kolltuk, Rama nxori bojërat e tij të ujit dhe një hartë të madhe të Shqipërisë. Ai shprehu zhgënjimin e tij që Fuqitë e Mëdha para 100 vitesh ishin treguar shumë konservatore në dhënien e territoreve shqiptare.

“Dëgjo këtu, Traktat i dashur,” mësohet t’i ketë thënë Rama, teksa shkarraviste mbi pëlhurën e tij ca pezhishka. “Ju kishit plan të’i jepnit Vlorën dhe Sazanin Italisë? Po pse t’i lodhim miqtë me marrëveshje të vjetra? Sazanin ia dhamë dhëndrit të Trumpit, ndërsa Melonin e sollëm në Shëngjin për refugjatët. Ne nuk presim të na e marrin tinëzisht dhe me forcë, ne i shpallim Investitorë Strategjikë dhe u heqim edhe taksat! Kjo është diplomacia moderne, jo si ju që e bënit fshehurazi në Londër.”

Në përfundim të takimit, Rama i premtoi Traktatit se qeveria e tij nuk do të presë që Fuqitë e Mëdha të mblidhen në Konferencë, por do ta nxjerrë Shqipërinë vetë në ankand, për të rritur transparencën e shitjes së atdheut.

Sipas burimeve, Traktati i Londrës doli nga zyra i tronditur. Dokumenti, i cili për dekada të tëra konsiderohej si rreziku më i madh i kombit shqiptar, e kuptoi se përballë vizionit të Rilindjes, ai ishte një copë letër pa asnjë vlerë.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon