TIRANË — Vetëm dy ditë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump pranoi publikisht se ndërhyri te FIFA për të anuluar një karton të kuq, KM Edi Rama duket se e ka ngritur stekën e lobimit gjeopolitik në nivele krejt të reja.
Në një dalje për shtyp, Rama konfirmoi se ka telefonuar personalisht Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për t’i kërkuar një nder të vogël, zgjatjen e Botërorit 2026 pa afat deri sa të shuhen protestat në oborrin e tij.
“Po, e mora në telefon Giannin,” pranoi Rama. “I kërkova një rishikim të kalendarit, sepse sinqerisht, mendoj se mbyllja e Botërorit në mes të korrikut është e padrejtë për qeverinë time. Botërori duhet të vazhdojë pa limit, të paktën derisa të shuhet protesta e sorrave në bulevard.”
Sipas raportimeve, shefi ligjor i FIFA-s, Emilio García Silvero, aktualisht po këshillon Infantinon mbi “mundësitë procedurale” për të zgjatur turneun artificialisht, duke përfshirë shpikjen e një faze të re pas finales ose, të paktën, të rikthejë në turne kombëtaret e skualifikuara për t’i përsëritur ndeshjet nga e para.
“Mos ma hiqni Botërorin nga ekranet e kafeneve, pikërisht tani që qytetarët po lodhen me protestë,” mësohet t’i ketë thënë KM shqiptar.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.