/ Showbiz
/ Kulturë

Gjendje emergjence / Shtretërit e spitaleve të vendit do përdoren si skela në koncertin e Ye

|Nga: Redaksia Lemza
Gjendje emergjence / Shtretërit e spitaleve të vendit do përdoren si skela në koncertin e Ye

TIRANË — Nevoja emergjente për të kënaqur vizionin artistik të reperit miliarder Ye, ka detyruar Qeverinë Shqiptare të ndërmarrë një tjetër hap drastik në emër të mbrojtjes së imazhit kombëtar. Mbrëmjen e djeshme, me anë të një VKM-je, Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar zbrazjen e menjëhershme të QSUT dhe spitaleve rajonale. Të gjithë shtretërit me rrota, barelat, madje edhe stativët e serumeve, janë nisur me autoambulanca drejt kantierit të “Eagle Stadium” në Kashar, për t’u salduar dhe për të formuar skenën kryesore të Ye.

Absurdi arriti kulmin kur u zbulua se, për të mos humbur kohë, shumë prej shtretërve u transportuan drejt Kasharit pa u zbrazur nga pacientët. Raportohet se dhjetëra të sëmurë aktualisht ndodhen të inkorporuar në strukturën e skenës.

“Isha në mes të serumit duke pritur operacionin e tëmthit,” tregon Gëzimi, 64 vjeç nga Kombinati, i cili aktualisht ndodhet 8 metra pezull në ajër, në krahun e majtë të skenës. “Erdhi drejtori i spitalit me dy ministra, më shtynë krevatin deri te furgoni, dhe tani më kanë lidhur me fasheta plastike pas një boksi 50-mijë vatësh. Më thanë që jam zyrtarisht një ‘instalacion artistik’ dhe se duhet të qëndroj pa lëvizur kur të fillojë kënga ‘Runaway’.”

Përballë akuzave se heqja e shtretërve po rrezikon jetën e qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë lëshoi një komunikatë ku theksonte përfitimet mjekësore të kësaj strategjie.

“Të rrish shtrirë në një dhomë spitali është demode,” deklaroi Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala. “Ne po ofrojmë terapi inovative! Frekuencat e larta të basit gjatë koncertit të Ye janë provuar shkencërisht se shkërmoqin gurët në veshka pa asnjë ndërhyrje kirurgjikale. Ndërsa stroboskopët e skenës stimulojnë sistemin nervor te pacientët në koma. Kemi përpara nesh një Sanatorium Open-Air me muzikë rap.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon