TIRANË — Skuadra Elitare e Ndërhyrjes së Shpejtë RENEA ka ndërmarrë pasditen e sotme një operacion me rrezikshmëri të lartë në zonën e Freskut, duke arrestuar në flagrancë një 19-vjeçar, i cili po përgatitej të kryente një sulm të paprecedentë ndaj sovranitetit ekonomik të një restoranti peshku në Maliq.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, agjentët e infiltruar të Krimit Kibernetik kishin rënë në gjurmët e një të riut, i cili po shkruante këtë vlerësim në Google: “Supa e peshkut si zhavorr. Nuk e rekomandoj.”
“Ndërhyrja ishte e rrufeshme sepse i dyshuari ishte vetëm tre sekonda larg shtypjes së butonit Publish,” deklaroi Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në një konferencë për shtyp.
“Mendova se djalit i kishin gjetur 200 kg kokainë në garazh ose kishte grabitur ndonjë bankë,” tregoi mes lotëve nëna e të riut. “Por pastaj dëgjova policët e armatosur deri në dhëmbë që bërtisnin ‘Ku e ke yllin?! Ku e ke fshehur yllin?!’
I riu u dërgua menjëherë në bllokun e sigurisë nën akuzat për “Cënim të Stabilitetit Turistik”, “Terrorizëm me Tastierë” dhe “Përpjekje për Ulje të Reputacionit të Peshkut të Pjekur”.
Prokurori i çështjes kërkoi masën më të rëndë të sigurisë, duke argumentuar se i pandehuri shfaq “rrezikshmëri të lartë shoqërore”, pasi në të kaluarën ka lënë gjithashtu një koment negativ për një piceri në Astir ku kishte shkruar “brumi ishte pak i djegur”.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.