/ Showbiz
/ Kulturë
/ Bota

EKSKLUZIVE / Gjergj Luca konfirmohet si i keqi i Incredibles 3

|Nga: Redaksia Lemza
EKSKLUZIVE / Gjergj Luca konfirmohet si i keqi i Incredibles 3

KALIFORNI — Pas Syndrome dhe Evelyn Deavor, Disney dhe Pixar kanë vendosur të rrisin stekën e ligësisë për filmin e radhës “Incredibles 3”. Në një bisedë ekskluzive me Lemza News, producenti Brad Bird zbuloi se antagonisti i ri i familjes së famshme të superheronjve do të jetë manjati shqiptar i peshkut, Gjergj Luca.

I koduar me nofkën “El Capitale” në skenar, Luca do të përballet me Mr. Incredible, Elastigirl dhe fëmijët e tyre, duke përdorur armën më të rrezikshme që ka njohur njerëzimi: privatizimin e aseteve publike për 1 Euro dhe fjalimet motivuese me ulërima live në Facebook.

“Ne donim një antagonist që reflekton tmerret e botës moderne,” shpjegoi regjisori Brad Bird. “Dikur kishim gjeni të çmendur që fshiheshin në vullkane sekrete. Sot, e keqja e vërtetë është një biznesmen ballkanik me këmishë të shkopsitur, që zapton bazat sekrete të heronjve përmes një VKM-je nga qeveria dhe i detyron ata të pastrojnë karkaleca me pagë minimale.”

Në thelb të komplotit të Incredibles 3, familja Parr e gjen veten të dëbuar nga Metroville, pasi Gjergj Luca e blen atë dhe e kthen në një qendër gjigante për përpunimin e acugeve. Gjërat përshkallëzohen kur djalit të tyre i kërkohet të përdorë super-shpejtësinë e tij për të paketuar 80,000 kuti me sardele në orë, pa sigurime shoqërore dhe pa pushim dreke.

Pixar ka konfirmuar gjithashtu se, për herë të parë në historinë e animacionit, nuk kanë punësuar asnjë aktor për të bërë zërin e antagonistit. Animatorët kanë shkarkuar 20 orë material nga videot e fundit të Lucës në Facebook dhe kanë vizatuar personazhet e tjerë rreth tij duke zënë veshët.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon