DURRËS — Një i ri nga Spitalla e Durrësit raportohet të ketë mbetur tejet i zhgënjyer. Asnjë nga miqtë, familjarët apo kolegët e tij të punës nuk u kujtua ta uronte për përvjetorin e 25-të të vaksinës kundër Fruthit, Rubeolës dhe Shytave (MMR).
Klajdi Otranto, i cili e mori shpimin në krahun e majtë në një ditë të nxehtë korriku të vitit 2001 nga infermierja e lagjes, priste të paktën një status dedikim në Instagram për këtë moment historik të imunitetit të tij.
“Nuk e kuptoj këtë brez,” deklaroi ai për Lemza News. “Njerëzit festojnë 1-mujorin e lidhjes, festojnë përvjetorin e ditës kur blenë një Golf 5 të përdorur, apo bëjnë party kur qeni i tyre bën 2 vjeç. Ndërkohë unë, që kam 300 muaj rresht që mbaj trupin tim të pastër nga virusi i fruthit falë atij shpimi të lavdishëm, nuk marr as edhe një mesazh në WhatsApp. Sistemi im imunitar ka punuar pa pushim për 25 vjet, a nuk meriton një urim?”
Për t’i kujtuar shoqërisë këtë moment, Klajdi kishte postuar në mëngjes një foto të zmadhuar të shpatullës së tij me mbishkrimin emocionues: “25 vite bashkë. Faleminderit shkencë.” Postimi mori vetëm dy pëlqime: një nga nëna e tij, dhe një nga një llogari fallco që shiste kriptomonedha.
Pavarësisht zhgënjimit nga rrethi i tij social, Klajdi refuzon të dorëzohet. Ai ka fshirë gjysmën e njerëzve nga lista e miqve në Facebook dhe nuk do ftojë asnjërin në darkën Gala që do organizojë për 10-vjetorin e vaksinës përforcuese të Tetanosit.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.