/ Kulturë
/ Showbiz

Tronditëse / 36 vitet e tranzicionit ishin në fakt një skenografi e kuruar paraprakisht për koncertin e Ye

|Nga: Redaksia Lemza
Tronditëse / 36 vitet e tranzicionit ishin në fakt një skenografi e kuruar paraprakisht për koncertin e Ye

TIRANË — Historianët, sociologët dhe miliona qytetarë të lodhur nga jeta kanë mbetur të shtangur këtë të shtunë pas rrjedhjes së një dokumenti sekret nga studioja krijuese e Ye, Donda Creative. Dokumenti, i cili mban datën Dhjetor 1990, vërteton përfundimisht se ai që quhej tranzicioni i gjatë post-komunist, e që cilësohej si një dështim i shtetbërjes, ishte në fakt një performancë e mirëfilltë e artit kontemporan, ideuar qëllimisht për të krijuar estetikën distopike për koncertin e Ye sot më 11 korrik 2026.

“Ne po kërkonim një atmosferë degradimi total njerëzor dhe kaosi arkitekturor,” shkruhet në vizionin artistik të reperit miliarder. “Më premtuan që nëse u jepnim 36 vjet kohë, ata do ta kthenin të gjithë vendin në një instalacion masiv brutalist, ku çdo rrugë e pashtruar dhe çdo spital pa pajisje do të shërbente si vibe për spektaklin tim.”

Sipas dosjes prej 400 faqesh të zbuluar nga hakerat, pothuajse çdo ngjarje traumatike që ka kaluar Shqipëria në këto tre dekada e gjysmë ishte e përpiluar me kujdes maniakal nga menaxherët e eventeve në Hollywood.

“Më në fund doli e vërteta,” tha Rama, i lehtësuar, teksa hoqi xhaketën për të zbuluar një bluzë të stafit Yeezy. “A e kuptoni tani pse i lamë spitalet të rrënoheshin dhe pse e mbushëm Tiranën me pluhur e kantiere? Apo pse shpopulluam gjysmën e vendit? Gjithçka ishte pjesë e koncertit. Qytetarë të dashur, ju nuk jeni viktima të dështimit të shtetbërjes, por figurantë të një spektakli hip-hop.”

Fakti që vitet e humbura në emigracion, mungesa e ujit të pijshëm dhe rrogat mizerabël nuk ishin pasojë e paaftësisë së politikanëve, por kërkesë artistike e një reperi nga Çikago, është pritur me çlirim dhe entuziazëm nga popullata, që në mbarim të koncertit do zbrazë trojet e shtetit shqiptar për t’u përgatitur për eventin e radhës.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon