/ Ekonomi

Banka e Shqipërisë hap GoFundMe

|Nga: Redaksia Lemza
Banka e Shqipërisë hap GoFundMe

TIRANË — Mësohet se Banka e Shqipërisë ka vendosur të braktisë instrumentet e vjetruara si “bonot e thesarit” apo “norma bazë e interesit”, dhe ka inauguruar mjetin më të ri të politikës monetare, duke hapur një llogari lypjeje në GoFundMe.

Institucioni i cili ligjërisht ka monopolin absolut për të printuar kartëmonedha nga hiçi, ka dalë sot në mëngjes me një thirrje të dëshpëruar drejtuar qytetarëve për t’i ndihmuar financiarisht të mbyllin muajin.

“E kuptoj që tingëllon paksa ironike që ne, institucioni që prodhon lekun, po lypim lekë në internet,” shpjegoi Guvernatori Gent Sejko në një dalje për shtyp. “Por e vërteta është se na ka mbaruar boja e printerit. Nëse nuk na ndihmoni me ndonjë donacion, do detyrohemi që 5-mijë lekëshet e reja t’i vizatojmë me lapustil.”

Ekspertët e Departamentit të Stabilitetit Financiar sqaruan se ekonomia po hyn në një fazë të re. Në vend që Banka të blejë apo shesë valutë në tregun e brendshëm për të stabilizuar kursin e këmbimit, tani stabiliteti i Euros do të varet tërësisht nga sa  shpërndarje në WhatsApp do të marrë linku i GoFundMe.

“Ky është kulmi i demokracisë financiare,” u shpreh më tej Guvernatori. “Kur shohim që inflacioni rritet, nxjerrim një video në TikTok duke i rënë daulles dhe i lutemi diasporës të na bëjë ‘Donate’ me kartë krediti.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon