TIRANË — Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe negociatorët e Policisë së Shtetit përfunduan sot rreth orës 06:00 të mëngjesit një operacion pengmarrjeje në një kafene te Rruga e Barrikadave, që zgjati plot 14 orë. U shpëtuan me sukses tre qytetarë që kishin mbetur të bllokuar në një tryezë duke dëgjuar shokun e tyre të sapoardhur nga 6 ditë pushime në Greqi.
Takimi kishte nisur të martën pasdite me një ftesë të pafajshme për një kafe por degjeneroi në një krizë pengjesh, kur 28-vjeçari Arlind Kushi, nisi të rrëfente me detaje kronologjike çdo vakt, çdo perëndim dielli dhe çdo transformim shpirtëror që kishte përjetuar gjatë udhëtimit.
“Në fillim menduam se ishte kafe e zakonshme,” tregoi një nga të liruarit, ndërkohë që mjekët e urgjencës i masnin tensionin në trotuar. “Por kur pashë se kishin kaluar gjashtë orë dhe ai po na tregonte foton e 412-të të së njëjtës rrugice me kalldrëm, e kuptova se pa ndërhyrjen e trupave speciale ne nuk do të dilnim të gjallë nga ai lokal.”
Sipas dosjes hetimore, Kushi përdori një sërë teknikash të torturës psikologjike për të bllokuar viktimat në karrige, përfshirë fjalinë hipnotizuese, “Prisni se do t’ju tregoj një plazh të virgjër që nuk e di askush.”
Rreth mesnatës, një negociator i Policisë provoi të hynte në kontakt me 28-vjeçarin përmes megafonit nga rruga, duke i kërkuar të lironte të paktën njërin nga shokët që kishte për të çuar djalin në spital. Mirëpo, pengmarrësi nuk pranoi. Madje, gjendja u rëndua edhe më shumë kur ai filloi t’u lexonte me zë të lartë faturat e restoranteve për t’u vërtetuar se “sa lirë hahej po të dije vendet sekrete”.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.