/ Kronikë
/ Shëndeti

Listimi i përbërësve të qoftes nuk e prish gostinë

|Nga: Redaksia Lemza
Listimi i përbërësve të qoftes nuk e prish gostinë

TIRANË — Kur Kevin Zarathustra, nipi i familjes dhe student për Inxhinieri Ushqimore, mori guximin të lexonte me zë të lartë përbërjen laboratorike të qofteve që familjarët e tij po hanin në një zgarë Tironse, raportohet se atyre nuk u bëri aspak përshtypje. Madje, zbulimi i fakteve tronditëse vetëm sa ua shtoi dëshirën për lëng limoni dhe kriklla birre të ftohtë.

 Duke valëvitur një fletë analizash laboratorike, ai u përpoq të zgjonte ndërgjegjen e të afërmve të tij.

“A e kuptoni se çfarë po fusni në bark?!” bërtiti Kevin i alarmuar, duke mbajtur një qofte me pirun sikur të ishte material radioaktiv. “Këtu ka vetëm 3% mbetje indesh muskulore që teknikisht mund të klasifikohen si ‘mish’. Pjesa tjetër është 45% bukë e njomur, 20% sojë e modifikuar, 15% ind lidhor i paidentifikueshëm që me shumë gjasa përfshin kërce dhe sqepa, 10% qepë e djegur dhe 7% aditivë për t’i dhënë shijen e tymit! Është si të hash pleh!”

Kevin priste që familjarët e tij të paloseshin në të vjella ose të kërkonin urgjentisht llogari te pronari i zgarës, por reagimi i tyre ishte ta ngjyenin qoften me xaxiq para se ta kollofitnin.

Pronari i lokalit, i cili po e ndiqte skenën nga larg, nuk u ndje i ofenduar nga analizat e studentit. Përkundrazi, ai pranoi se magjia e vërtetë e qoftes shqiptare nuk qëndron te lënda e parë, por te koncepti.

“Djali ka të drejtë shkencërisht, por nuk është aty qëllimi,” tha ustai duke kthyer qoftet. “Nuk ka rëndësi nëse është bukë apo sqep pule. Kur piqet mbi këtë skarë që s’është larë që nga evropiani i 2016-s, ajo merr një shije të papërsëritshme. Qoftja nuk është ushqim or shok, është koncept.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon