/ Ekonomi
/ Shëndeti

OKB: 1 në 3 lypsarë nuk përballojnë dot një dietë të shëndetshme

|Nga: Redaksia Lemza
OKB: 1 në 3 lypsarë nuk përballojnë dot një dietë të shëndetshme

GJENEVË — Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ngritur alarmin për një krizë të re globale. Rritja me 25% e kostos së produkteve organike gjatë pesë viteve të fundit ka bërë që miliona lypsarë në mbarë botën të mos e përballojnë dot më një dietë të balancuar mesdhetare.

Sipas specialistit të ekonomisë pranë OKB, Minimo Dorado, kufiri i varfërisë ekstreme është rreth 3 dollarë në ditë, por kostoja për të pasur një pjatë plot me avokado, kuinoa dhe lulelakër të zier në avull ka shkuar në 4.28 dollarë. Kjo diferencë po i detyron njerëzit e rrugës të marrin vendime të vështira dhe të heqin dorë nga ushqimet gluten-free.

Të dhënat e OKB-së tregojnë se ndërkohë që sigurimi i kalorive është relativisht i lirë (një copë bukë thatë ose një gjysmë pite mund të gjendet rëndom), këto produkte mbulojnë vetëm 13% të asaj që kërkohet për një organizëm optimal.

Për komunitetin e lypsarëve, mungesa e theksuar e peshkut të egër, arrave të Brazilit dhe bulmetit cilësor, po shkakton rënie të performancës në lypje.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nëse lypsarët vazhdojnë të ushqehen me mbetjet e brumërave të qytetarëve, ata rrezikojnë të preken nga sëmundje kardiovaskulare dhe diabeti, duke e bërë zanatin e lypjes gati të pamundur për t’u ushtruar.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon