TIRANË — Përmes një zëdhënësi të maskuar me kapuç të zi, i cili lexoi deklaratën nga një bunker i nëndheshëm, krimi i organizuar shpalli distancimin e tij të plotë dhe të parevokueshëm nga Qeveria Shqiptare.
Malavita e vendit u ankua se bashkëpunimi i përfolur me pushtetin po u dëmton rëndë reputacionin dhe kredibilitetin në arenën ndërkombëtare.
“Ne jemi kriminelë, jemi trafikantë, por mbi të gjitha, jemi profesionistë,” u shpreh zëdhënësi i nëntokës. “Kemi dekada që ndërtojmë një imazh serioz dhe të frikshëm në Evropë dhe Amerikën e Jugut. Por kohët e fundit, lidhjet e përfolura me një qeveri që vjedh tenderët e rrugëve dhe lë qytetarët pa ilaçe onkologjiku na ka nxirë faqen me partnerët.”
Një nga ankesat kryesore të mafies është niveli absurd i pangopësisë qeveritare, të cilin ata e cilësojnë si “konkurrencë të pandershme” që po prish tregun e zhvatjes.
Sipas përfaqësuesve të krimit, një mafioz i vërtetë merr një përqindje të caktuar nga një biznes dhe i ofron mbrojtje në këmbim, duke e lënë biznesin të mbijetojë që ta mjelë sërish. Ndërkohë, qeveria merr 100% të fondit, nuk bën asnjë punë me koncesionin, dhe në fund e nxjerr edhe në media si sukses.
Zëdhënësi gjithashtu i bëri thirrje urgjente SPAK-ut dhe ndërkombëtarëve që të ndalin fushatën e përbaltjes, ku emrat e kriminelëve të mirëfilltë përzihen padrejtësisht me ata të ministrave dhe drejtorëve.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.