GOLEM — Një mister ndërkombëtar që kishte lënë pa gjumë autoritetet italiane, më në fund ka gjetur zgjidhje. Krejt ishulli i Caprit, i cili u zhduk brenda natës në qershorin e dy viteve më parë nga Gjiri i Napolit, është shfaqur i ankoruar vetëm pak milje larg bregdetit të Golemit, ku po përdoret si zgjatim ilegal plazhi nga një biznes lokal.
Nuk është ende e qartë sesi një ishull shkëmbor me sipërfaqe prej disa kilometrash katrorë ka përfunduar në ujërat shqiptare, por autoritetet italiane akuzojnë për një grabitje.
Skandali doli në dritë kur një turiste nga Campania, e cila po pushonte në Durrës, vuri re dy shkëmbinjtë gjigantë që dilnin nga deti dhe nuk ngurroi më tej duke njoftuar menjëherë autoritetet italiane.
“Në qershor të dy viteve më parë na vodhën krejt ishullin brenda 30 minutave,” shprehet i tërbuar Alberto Costoli, inspektor policie në Napoli. “Kishim dyshimet tona, por kur e pamë ishullin të shfaqej në bregdetin e Golemit, sa nuk na ra të fiktë.”
Ende nuk është e qartë se si do të kthehet ishulli në vendin që i takon. Ndërkohë, biznesi në Golem që menaxhon ankorimin e ishullit ka qetësuar klientët: “Ishulli është i sigurt dhe nuk lëviz që aty deri në shtator. Kemi hedhur dy thasë çimento te tabani i detit dhe e kemi lidhur me rrip sigurimi. Ejani pa frikë, ka vend edhe për çadra private.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.