LIBRAZHD — Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur në pyjet e Librazhdit. Një shtetas ka qëlluar një derr të egër, duke menduar se po merrte hak ndaj komshiut.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur shtetasi G.M. pikasi një siluetë të errët që po lëvizte mes shkurreve. Pa hezituar, ai ngriti çiften dhe qëlloi, duke e plagosur kafshën.
“Jam i tronditur,” mësohet të ketë thënë shtetasi përpara grupit hetimor. “Nuk kisha asnjë qëllim të dëmtoja faunën e zonës. Por krijesa që pashë po ecte fiks si komshiu im, me të cilin jam në hasmëri për pronat.”
Për të zbardhur ngjarjen, Policia e Shtetit thirri një grup ekspertësh të biologjisë dhe sociologjisë, të cilët analizuan sjelljen e derrit të egër përpara incidentit. Sipas raportit të tyre, ngjashmëria mes një derri të egër dhe komshiut është bërë pothuajse e pamundur të dallohet me sy të lirë.
Prokuroria e rrethit ndodhet përpara një ngërçi ligjor. Kodi Penal parashikon dënime të ashpra për gjuetinë e paligjshme të specieve të mbrojtura, por nuk ka asnjë nen që dënon dikë që tenton të marrë hak ndaj komshiut por gabimisht qëllon një kafshë.
Avokati mbrojtës i G.M. ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të klientit të tij, duke përdorur argumentin e hakmarrjes.
“Klienti im mendoi se po kryente një akt të zakonshëm dhune ndaj komshiut hasëm,” tha avokati. “Fakti që viktima doli të ishte një derr i egër, është vetëm një lojë e hidhur e fatit.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.