TIRANË — Paketa e re e amnistisë penale ka shpëtuar gjithashtu një nga të dënuarit më të njohur të trupit diplomatik. Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, la sot qelinë e tij luksoze në Tiranë ku kreu me sukses dënimin e të bërit sikur nuk shihte fare se çfarë ndodhte rreth tij.
Drejtoria e Burgjeve (dhe Kryeministria) e cilësoi lirimin e tij të parakohshëm si një shpërblim të merituar për të burgosurin më shembullor dhe të bindur që ka pasur ndonjëherë Republika.
Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, Gonzato dëshmoi një mungesë totale të shtyllës kurrizore. Ai nuk protestoi kurrë, u pajtua me çdo anomali, dhe ishte gjithmonë i gatshëm t’i bënte fresk dhe t’i lustronte imazhin KM Edi Ramës.
Në vend të certifikatës standarde të lirimit nga burgu, KM Rama vendosi ta dekorojë atë me “Yllin e Madh të Medaljes së Mirënjohjes”. Kjo është një dekoratë e veçantë që jepet ekskluzivisht për ata ndërkombëtarë që arrijnë nivelin “Master” në artin e lëpirjes diplomatike dhe që e shohin realitetin shqiptar me të njëjtat syze si qeveria.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.