GJENEVË — Unioni Ndërkombëtar i Kimisë (IUPAC), në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ka miratuar njëzëri një përditësim historik në Tabelën Periodike të Elementeve.
Pas vëzhgimeve disavjeçare të sferës politike shqiptare, shkencëtarët kanë vendosur të shtojnë një element të ri: Shabaniumin, me simbolin kimik Es, dhe ngarkesë të paprecedentë në kimi, -12.
Ky element i ri është klasifikuar menjëherë në ekstremin e djathtë të tabelës, duke zëvendësuar Kriptonin dhe Argonin si elementi me shkallën më të lartë të plogështisë dhe paaftësisë për të krijuar reaksione të shpejta me ambientin përreth.
Dr. Heinrich Von Snooze, drejtuesi i departamentit të Kinetikës në Zvicër, shpjegoi për Lemza News se si u arrit te ky zbulim revolucionar.
“Në fillim, po studionim substancat që ngadalësojnë sistemin nervor qendror,” tha Dr. Snooze, teksa pinte ekspresin e tretë për të mbajtur sytë hapur pas eksperimentit. “Gjatë një monitorimi satelitor të Ballkanit, kapëm një sinjal nga Tirana. Ishte Endrit Shabani duke vizituar burgun e Shënkollit. Plogështia e bashkëveprimit ishte aq e madhe, saqë gazetarët në terren ishin kthyer në fosile. Aty kuptuam se kishim zbuluar materien që shkakton plakjen e universit.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.