TIRANË — Njeriu që ka të shkruar me germa të mëdha fjalën “BESËTHYM” mu në mes të ballit, deklaroi pasditen e djeshme se është gati të “lidhë besë” me popullin shqiptar.
“Do lidh besë me shqiptarët, dhe kush më mirë se unë mund ta bëjë këtë?” deklaroi krye-besëthymi gjatë një fjalimi maratonë, ndërkohë që shkrimi në ballë rrëzëllente kobshëm.
Fenomeni shkaktoi konfuzion tek anëtarët e partisë në sallë, të cilët pulitnin sytë për të lexuar germat në ballin e liderit. Disa prej tyre në atë çast kuptuan se janë bërë për syze.
“Është e vërtetë që kam thyer shumë premtime, marrëveshje, pakte koalicioni, dhe e kam shkelur fjalën e dhënë kur e kam pasur të nevojshme, por kjo Besë e re është ndryshe, më besoni,” shtoi njeriu me fjalën “BESËTHYM” në lule të ballit.
Gjuhëtarët dhe etnografët e pyetur nga Lemza News konfirmuan se ky është rasti i parë në historinë e Ballkanit ku një koncept moral si “pabesia” shfaqet fizikisht në lëkurën e një politikani pa pasur nevojë për analiza laboratorike.
“Zakonisht, pabesia politike është e fshehur prapa buzëqeshjeve apo koalicioneve të natës,” shpjegoi Prof. Dr. Dedë Protolingu. “Por këtu kemi të bëjmë me një transparencë absolute. Ai e ka të shkruar në ballë që do të na gënjejë. Nëse ti prapë shkon e ‘lidh besë’ me të, atëherë faji është i yti.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.