/ Op-ed
/ Teknologji

Fika frigoriferin për 7 ditë. Ja çfarë ndodhi

|Nga: Jurgen Minella
Fika frigoriferin për 7 ditë. Ja çfarë ndodhi

Jetojmë në epokën e stimujve të pandalshëm audio-vizualë dhe rehatisë së shfrenuar. Jemi gjithë kohës të varur nga njoftimet e telefonit, pëlqimet në Instagram, dhe më e keqja… nga freskia artificiale në formë smoothie me akull.

Si shumë prej jush, edhe unë isha bërë skllav i pavetëdijshëm i ushqimit të freskët dhe pijeve të ftohta. Harxhoja me orë të tëra çdo ditë para frigoriferit, në një trans të pakuptimtë rehatie, duke kërkuar diçka për të përtypur. Kuptova që e kisha humbur kontaktin me realitetin e papërpunuar të ekzistencës, ku gjërat kalben dhe thartohen siç e do natyra. Ndaj, mora një vendim drastik.

Për 7 ditë, vendosa të fik frigoriferin. Ky është ditari im i këtij detoksi termik.

Dita 1

24 orët e para ishin një ferr i vërtetë. Sapo u zgjova, këmbët më çuan instinktivisht drejt kuzhinës. Zakon i krijuar nga vite të tëra komoditeti kapitalist. Gjatë ditës, përjetova atë që ekspertët e quajnë FOMO (Fear Of Missing Out). Mendoja me dëshpërim: “Me siguri të tjerët po pinë ujë me akull tani dhe po hanë kos të pa thartuar.”

Dita 2

Kur hëngra vaktin e parë në temperaturë dhome, qumështi kishte marrë një si formë gjize, ndërsa mushkëritë u palosën në dysh nga era e pulës së prishur. Por, për herë të parë pas shumë vitesh, u ndjeva plotësisht i pranishëm në atë moment. S’ka vend për stres dhe ankth kur kofsha e pulës ka filluar të krijojë ekosistemin e saj.

Dita 3

Tashmë stomaku po mësohej. Në atë fermentim total të produkteve, kuptova një të vërtetë universale. Ne kemi zëvendësuar ngrohtësinë e munguar prindërore me konservimin artificial të ushqimeve. Fajin e ka ime më, si gjithmonë, që më rriti pa dashuri dhe me bulmet pa miza.

Dita 4

Domatet filluan të mbuloheshin nga një lesh i butë ngjyrë blu e hapur, njësoj si avatarët e James Cameron. Fillova të vërej gjëra që më parë i injoroja, si për shembull strukturën gjeometrike të krimbave të vegjël që po mbinin te mishi i hapur, prej dekompozimit. Kjo është ajo që budistët quajnë Zgjimi.

Dita 5 dhe 6

Ditët e fundit provova një praktikë të lashtë meditimi, të trashëguar nga prindërit: blerjen e ushqimit me racione të vogla te cepi i pallatit sa për të shtyrë vaktin. Ky ritual ngadalësoi ritmin e jetës. Më bëri të vlerësoj çdo kafshatë përpara se të merrte erë amoniaku. Kujt ia priste mendja që rruga drejt ndriçimit shpirtëror është skamja?

Dita 7

Një ambulancë më çoi në spital për salmonelë dhe helmim të gradës së tretë. Më doli jashtë kontrollit eksperimenti me vezët e lëna në diell. Kjo ishte dhe thyerja finale e Samsarës që skllavëronte qenien time përmes sistemit të tretjes. Tanimë isha budëzuar përjetë.

Ditën e 8, pasi dola nga reanimacioni, shkova dhe vura frigoriferin në prizë. Madje e lashë në opsionin Super Freeze për 3 orë, gjersa të ngrinte edhe plastika e rafteve. Edhe pse tani po shijoj sërish ujin e ngrirë sa të më bëhen grykët, e di që thellë brenda meje fle një ujk i egër që mbijetoi 7 ditë pa trokitjen e akullit të gotës.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon