/ Ekonomi

Kostoja e lirisë së fjalës arrin shifra rekord

|Nga: Redaksia Lemza
Kostoja e lirisë së fjalës arrin shifra rekord

TIRANË — Sipas të dhënave të fundit nga INSTAT, liria e fjalës është kthyer në produktin më të shtrenjtë të luksit në vend, duke lënë prapa qiratë e shtëpive dhe pushimet e verës.

Sipas raportit, nëse në vitin 2015 një mendim i lirë i thënë te kafja e lagjes kushtonte maksimumi një zënkë 4 minutëshe dhe dy teke raki, sot kostoja mesatare e një fjalie të papërmbajtur ka arritur shifrat e frikshme të mijëra eurove në shpenzime gjyqësore, gjoba për prishje imazhi dhe humbje vendesh pune.

“Ne po shohim një rritje marramendëse të tarifave të opinionit,” shpjegon specialistja e ekonomisë, Filoreta Mezati. “Sot, të thuash atë që mendon kërkon planifikim buxhetor. Nëse nuk ke të paktën 3000 euro mënjanë për avokatin e padive për shpifje, mos e hap gojën fare.”

Sipas burimeve brenda sektorit bankar, situata është bërë aq kritike saqë disa banka të nivelit të dytë po përgatisin një produkt të ri financiar: “Kreditë për Statuse në Facebook”. 

Kjo kredi do t’u mundësojë qytetarëve të marrin deri në 5,000 euro me interes të ulët, me kusht që paratë të përdoren ekskluzivisht për të mbuluar faturat e gjyqeve nëse vendosin të kritikojnë ndonjë tender publik, një zv. Ministër apo linjën e autobusit të Unazës.

“Unë kisha dy muaj që kurseja për të ndërruar ferrotat e makinës,” tregon Rino Popi, një qytetar nga Tirana. “Por javën e kaluar s’u përmbaja dot dhe shkrova një status ku kritikoja rrugët me gropa. Tani më ka ardhur fletëthirrja nga gjykata për ‘dëmtim të imazhit turistik të lagjes’. Më lirë do më dilte të kisha blerë një bilete avioni vajtje-ardhje për Nju Jork.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon