/ Politikë

Rama ultimatum zjarreve aktive: "Të mjerët ju kur të vijnë avionët në dhjetor"

|Nga: Redaksia Lemza
Rama ultimatum zjarreve aktive: "Të mjerët ju kur të vijnë avionët në dhjetor"

FARKË — Duke treguar me gisht drejt  tymit që po mbulonte kodrat përreth Bazës Ajrore të Farkës, KM lëshoi sot paralajmërimin më të ashpër në historinë e zjarreve pyjore.

Në një fjalim plot emocion dhe solidaritet me zjarrfikësit e Spanjës, KM u bëri ultimatum vatrave të zjarrit në të gjithë Shqipërinë se i kanë ditët e numëruara, duke qenë se në fund të vitit zbarkojnë 3 avionë zjarrfikës.

“O flakë të mallkuara që digjni pishat e Atdheut!” bërtiti KM me zërin që i dridhej nga vendosmëria. “Bëni qejf tani në korrik e gusht, por ta dini mirë se në fund të vitit, 3 avionë zjarrfikës do të zbarkojnë në Shqipëri, dhe pastaj gjeni vend ku të futeni!”

Deklarata e fortë e KM u ka futur frikën në palcë komunitetit të vatrave të zjarrit në vend. 

“Jemi të tmerruar. Lajmi se në dhjetor do të vijnë 3 avionë na i preu fare gjunjët,” u shpreh një zjarr pyjor në Ksamil. “Kemi vendosur të fikemi vetë që sot. Nuk e përballojmë dot presionin psikologjik të liderit tuaj sypetrit.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon