TIRANË — Salla e seancave plenare ka përjetuar sot një nga momentet më efikase të parlamentarizmit shqiptar, ku një ligj i sapo votuar nuk priti as hyrjen në Fletoren Zyrtare për të dhënë efektet e veta juridike.
Sapo tabela elektronike e votimit tregoi 140 vota PRO për “Ligjin e Gravitetit”, forca e re e miratuar me konsensus absolut hyri në Fuqi duke përplasur menjëherë te mermeri i shkallëve sekretaren e parlamentit, e cila po vraponte për të kapur deputetin Agron Shehaj që po arratisej me një dokument “Top Secret”.
“Me 140 vota pro, ligji kalon!” deklaroi Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, duke goditur tryezën me çekiç.
Fill pas asaj goditje çekiçi, nga korridori i jashtëm u dëgjua zhurma rrokullisjes së sekretares, e cila u bë zyrtarisht shtetasja e parë që provoi rreptësinë e ligjit të ri mbi vete. Ndërsa Garda e Republikës po nxitonte t’i jepte ndihmën e parë te fundi i shkallëve, salla e Parlamentit shpërtheu në duartrokitje për suksesin e menjëhershëm të reformës.
“Shpesh na akuzojnë se bëjmë ligje që mbeten vetëm në letër,” deklaroi zoti Peleshi tek shihte sekretaren që rënkonte tërë dhimbje. “Por ky votim provoi të kundërtën. Kjo është shpejtësia me të cilën duhet të funksionojë çdo institucion!”
Sekretarja e lënduar raportohet se është në gjendje të stabilizuar, por ka njoftuar se për ligjin e ardhshëm që do të miratojë Kuvendi, do të kërkojë të jetë e ulur në karrige para se të goditet çekiçi.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.