TIRANË — Një 33-vjeçar nga kryeqyteti zbuloi me tmerr se pulti i televizorit ndodhej jashtë perimetrit të tij të rehatisë prej 45 centimetrash. Pra, thënë ndryshe, atje tutje.
Ngjarja u shënua rreth orës 15:30 të pasdites së sotme. Burimet bëjnë me dije se i riu kishte arritur një ekuilibër të rrallë biomekanik mbështetur te jastëkët e divanit, i rraskapitur nga turni si shofer taksie, kur një reklamë dyshekësh filloi të transmetohej me një volum dy herë më të lartë se emisioni që po ndiqte.
“Zgjata krahun duke ruajtur strukturën e shpinës te jastëku, por nuk e arrita dot pultin,” deklaroi Arbër Kikia për Lemza News, pa lëvizur nga pozicioni i lakmuar. “Po të çohesha do humbisja përgjithmonë këtë rehati sublime.”
Kikia rrëfen se pas rreth 15 minutash torturë nga reklamat e pastruesve të tualetit, situata mori kthesë të menjëhershme. Një dokumentar molusqesh nisi të luhej në ekran.
“Pranova fatin,” rrëfen Kikia i përlotur. “Nëse do kishte dalë ndonjë telenovelë turke e dubluar me AI, ndoshta do kisha marrë hapin ekstrem të ngritjes në këmbë. Por universi më dërgoi atë dokumentar aq qetësues. Më mori gjumi sa hap e mbyll sytë.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.