/ Kronikë

Patronazhisti xheloz për kolegun e vdekur

|Nga: Redaksia Lemza
Patronazhisti xheloz për kolegun e vdekur

TIRANË — Teksa miqtë dhe familjarët po i jepnin lamtumirën e fundit Agronit, patronazhist i devotshëm i Njësisë Bashkiake numër 7, miku i tij dhe kolegu i ngushtë i terrenit, Iliri, nuk mundi ta fshihte xhelozinë për fatin e të ndjerit.

Sipas dëshmitarëve okularë, Iliri qëndronte buzë varrit me sytë zift nga zilia për njeriun që shpëtoi një herë e mirë nga grupet e WhatsApp-it të Partisë.

“Shih si rri atje brenda. I qetë, pa stresin se mos i shpëtoi ndonjë status i Kryetarit në Facebook pa i bërë ‘Like’ dhe ‘Share’,” shpërtheu Iliri gjatë ngushëllimeve. “Sa i di bytha. E përdori infarktin si justifikim për të mos ardhur në mitingun e së dielës. Kurse mua më duhet t’i kthehem punës, të shantazhoj komshiun e katit sipër. Jetë e padrejtë.”

Teksa Iliri ankohej për “privilegjet” që kishte fituar i vdekuri, u vu re prezenca e Shefit të Shtabit të zonës, i cili kishte ardhur në varrim për të rishpërndarë listat e Agronit.

“Agron, ti na le fizikisht, por politikisht je ende i regjistruar te Qendra e Votimit 1928,” tha Shefi i Shtabit, duke i rënë lehtë arkivolit. “Ne presim që familja jote të mbulojë kuotën tënde të pëlqimeve në rrjetet sociale.”

Të gjendur përballë këtij realiteti të zymtë, shumë patronazhistë të tjerë kanë filluar të kërkojnë në Google udhëzime se si të inskenojnë vdekjen e tyre, si e vetmja rrugëdalje e ligjshme për të mos i bërë më komente “Bravo Shefi, je i paparë!” çdo postimi të ministrave.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon