/ Teknologji

Platforma hajdutmeçizme.al në listën e fituesve të Grant 2026

|Nga: Redaksia Lemza
Platforma hajdutmeçizme.al në listën e fituesve të Grant 2026

TIRANË — Çmimi i parë në Fazën e Zgjerimit i ka shkuar zyrtarisht platformës hajdutmeçizme.al, e cila ka arkëtuar pa asnjë vonesë shumën prej 7,000,000 lekësh nga buxheti i shtetit. Startup-i i ri, i cili ofron shërbimin novator Robbery-as-a-Service (RaaS), është regjistruar me aktivitetin kryesor “Përvetësim i fondeve publike në mes të ditës dhe transferta direkte në parajsa fiskale.”

“Na ka ardhur në majë të hundës me hipokrizinë,” deklaroi drejtori i Agjencisë, Arjan Ymeri. “A e dini sa e vështirë është të gjesh inovatorë të sinqertë sot? Vijnë inxhinierët na flasin për algoritme, kur në fakt duan vetëm fondin. Ndërsa djali nga hajdutmeçizme.al erdhi në zyrë me një thes të bardhë me shenjën e Euros vizatuar sipër dhe kërkoi paratë. Ky po që është vizion! Ky është ekzekutim!”

I kontaktuar nga Lemza News, CEO dhe themeluesi i hajdutmeçizme.al, i cili refuzoi të identifikohej dhe foli me zë të tjetërsuar elektronik, u shpreh se ekosistemi i startup-eve në Shqipëri e ka tejkaluar çdo pritshmëri të botës së krimit.

Unë jam hajdut nga ata tradicionalët. Zakonisht hyj nga dritarja ose përdor levë për të hapur kasafortat,” rrëfeu ai, ndërsa numëronte tufat me lekë. “Por s’ke pse lodhesh fare kur paratë publike priten me gërshërë. Hapa një NIPT nga telefoni, e quajta faqen hajdutmeçizme.al dhe theksova te rreshti i synimeve se paratë do i bëj rrush e kumbulla në Dubai. Juria jo vetëm që s’më ndaloi, por më dha edhe bonus shtesë për ‘qëndrueshmëri ekologjike’, sepse thasët ku futa paratë janë prej cope të riciklueshme.”

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka lajmëruar se për edicionin e vitit 2027 kompania hajdutmeçizme.al është ftuar të jetë anëtare e jurisë vlerësuese, pasi ka demonstruar një njohje të thellë  se si operon shpërndarja e parasë publike në vend.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon