TIRANË — Pse lutjet e shqiptarëve për ditë më të mira duket se nuk po dëgjohen lart në qiell? Përgjigjen përfundimtare e ka dhënë sot një studim i paprecedentë i INSTAT.
Rreth 48% e lutjeve, nuk arrijnë kurrë në destinacion sepse ngecin në merimangat e kabllove elektrike dhe të internetit.
Sipas ekspertëve, frekuencat e sinqerta të lutjeve nisen nga toka me qëllimet më të mira, por sapo kalojnë lartësinë e katit të dytë të pallateve parafabrikat, përplasen me një lëmsh kabllosh korrenti dhe interneti, dhe si pasojë nuk mbërrijnë kurrë në veshin e Tënëzot.
“Isha duke u lutur që djali të merrte vizën për në Angli,” tregon Sanija 68 vjeçe nga Lapraka. “Kisha dalë në ballkon, me sytë nga qielli. Mirëpo, lutja ime goditi tufën e kabllove te shtylla e tensionit, bëri rikoshet dhe hyri në dritaren e komshiut të katit të tretë.”
Komunitetet fetare në vend kanë reaguar ashpër ndaj këtij fenomeni. Ata kërkojnë që Bashkia e Tiranës të hapë “korridore të lira lutjesh” nëpër lagje, ku njerëzit të mund t’i drejtohen Perëndisë pa pasur frikë se lutjet e tyre do të ngecin në fibrën optike.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.