HIMARË — Pas një nate të mbushur me terror dhe mobilizim të Policisë Kufitare, Delta Forcës dhe Forcave Kombëtare të Sigurisë, Prokuroria e Vlorës ka dhënë përgjigjen përfundimtare për atë që u raportua si “të shtëna me armë zjarri” nga një jaht luksoz në Palasë.
Katër pasagjerët, biznesmenë nga Tirana, kishin dalë për gjueti lepujsh.
Sipas procesverbalit të marrjes në pyetje, personat në fjalë kishin blerë armë gjahu me leje, rroba banje kamuflazh nga Versace dhe kishin lundruar 3 milje larg bregut të Palasës, me shpresën për të kapur ndonjë “lepur të egër”.
“Dëshirojmë të qetësojmë opinionin publik në lidhje me ngjarjen e raportuar. Pas hetimeve të kryera, zbuluam se ishte një gjueti e zakonshme lepujsh në mes të detit,” deklaroi zëdhënësi i Policisë së Himarës, Myrto Kore. “Kur mësymë në jaht për t’i neutralizuar, ata na bënë me shenjë të mos bënim zhurmë, se trembnim lepujt.”
Policia e Shtetit u bëri thirrje qytetarëve që të mos alarmohen nëse gjatë ditëve në vijim dëgjojnë shpërthime me tritol (C4) në mes të detit.
“Nuk janë atentate, jo” siguroi zëdhënësi, “është metoda e re për të gjuajtur sorkadhet.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.