/ Ekonomi

Thellohet Pabarazia: 1% e më të varfëve në Shqipëri zotëron 99% të tasave bosh të margarinës

|Nga: Redaksia Lemza
Thellohet Pabarazia: 1% e më të varfëve në Shqipëri zotëron 99% të tasave bosh të margarinës

TIRANË — Një raport i fundit Bankës Botërore ka zbuluar një pabarazi alarmante në shpërndarjen e pasurisë në Shqipëri. Të dhënat tregojnë se 1% e popullsisë më të varfër në vend mban monopolin absolut, duke zotëruar plot 99% të rezervave kombëtare të tasave bosh të margarinës.

Sipas raportit, kjo shtresë e popullsisë ka arritur të ndërtojë një perandori të vërtetë tasash plastikë, duke sfiduar çdo rregull të ekonomisë së tregut.

“Kemi të bëjmë me një fenomen unik të grumbullimit të aseteve,” shpjegohet në raportin e Bankës Botërore. “Ndërkohë që të pasurit i hedhin tasat e plastikës sapo mbarojnë produktin, shtresa e ulët ekonomike i sheh ato si pasuri të patundshme. Në shtëpitë e tyre, një tas ‘Becel” apo ‘Vitam’ kalon nga brezi në brez, duke u përdorur për të ruajtur gjithçka, përveç margarinës.”

Për të parë nga afër këtë pasuri, Lemza News vizitoi banesën e z. Xhevdet Peçi, pensionist, i cili renditet në  top 10 të oligarkëve të tasave të margarinës në vend.

“Unë nuk hedh asnjë tas në mbeturina,” rrëfen Xhevdeti. “Ku i dihet, nesër vjen djali nga Italia, me çfarë t’i jap ca qofte me vete? Nëse kjo më bën oligark, nuk e vras mendjen.”

I shqetësuar nga ky përqendrim masiv i pasurisë plastike në duart e pak personave, Ministria e Financave po shqyrton një draft të ri ligjor për rishpërndarjen e të ardhurave. Burime të pakonfirmuara bëjnë me dije se pritet të miratohet Taksa Progresive e Tasave të Margarinës, e cila do të detyrojë çdo familje që ka më shumë se 10 tasa margarine me gjellë në frigorifer, të dorëzojë të paktën 2 prej tyre në Drejtorinë e Tatimeve.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon