/ Kronikë

Zjarret në vend: Ekstradohet Prometeu pas marrëveshjes historike Rama-Zeus

|Nga: Redaksia Lemza
Zjarret në vend: Ekstradohet Prometeu pas marrëveshjes historike Rama-Zeus

TIRANË — Kriza e zjarreve në Shqipëri ka marrë më në fund një zgjidhje me përmasa epike. Pas disa javësh negociatash, KM Edi Rama ka nënshkruar një marrëveshje historike ekstradimi me Zotin e Qiellit dhe Vetëtimave, Zeusin.

Fill pas marrëveshjes, terroristi i rrezikshëm i Tartarit, njohur ndryshe si Prometeu, u transferua në Shqipëri për të mbajtur përgjegjësi penale për çdo shkurre të djegur në Labëri dhe më gjërë.

Oficerët e policisë e zgjidhën nga zinxhirët mitologjikë 4500-vjeçarin, dhe më pas i vendosën prangat e burgut 313.

“Kemi dëgjuar lloj-lloj analistësh të kazanit të ankohen se s’kemi mjete fikëse,” deklaroi KM. “Por e vërteta është se ky terrorist i pafytyrë u dha shqiptarëve një mjet shkatërrimi në masë mijëra vjet më parë, pa na pyetur fare nëse kishim kapacitet për ta menaxhuar! Si mund të fajësoni qeverinë time kur zjarri është futur kontrabandë nga Olimpi që në epokën e bronzit?! Me këtë ekstradim, qeveria jonë dëshmon se kap edhe ‘peshqit e mëdhenj’ mitologjikë.”

Për Lemza News, Prometeu u shpreh i tronditur nga drejtësia shqiptare, duke theksuar se dënimet e Zeusit ishin shumë herë më të drejta.

“Të ndash qelinë me Ilir Metën është 100 herë më keq se të të hajë shqiponja mëlçinë deri në pafundësi,” është shprehur Titani.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon