SARANDË — Një propozim radikal në këshillin bashkiak të Sarandës rrezikon të ardhmen turistike të qytetit bregdetar. Sipas një vendimi të fundit, mësohet se një hapësirë sublime parkimi publik do të kthehet në shkollë, ku do të shpërdorohet koha dhe paraja e taksapaguesve sarandjotë.
Reagimi i qytetarëve ka qenë i menjëhershëm, duke kundërshtuar me zë të lartë planin ogurzi.
“Të sakrifikosh 50 vende parkimi për një copë shkollë, është marrëzi e vërtetë!” u shpreh për Lemza News, Kristo Gumenica. “Si mund t’i lëmë shoferët të rrotullohen dy orë nëpër rrugicat e thepisura të Sarandës, vetëm sepse fëmijëve u ka shkrepur të mësojnë drejtshkrimin?! Kundërshtoj katërcipërisht zaptimin e parkingjeve nga shkollat.”
Menjëherë pas reagimit qytetar, përfaqësuesit e Bashkisë thirrën një mbledhje urgjente ku kthyen mbrapsht vendimin dhe votuan pro mbrojtjes së vlerave të vërteta të qytetit. Territori u shpall zyrtarisht “Zonë me Rrezik Edukimi”, duke i dhënë fund çdo tentative për ta kthyer atë në vatër dijeje.
“Mësimi më i mirë që mund t’u japim të rinjve është ai i tregut të lirë,” u shpreh kryebashkiaku. “Ata do të ndeshen çdo ditë me një parking plot me makina të shtrenjta, do frymëzohen që të lënë shkollën sa më shpejt dhe të hapin një lavazho.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.