TIRANË — Një studim i institutit “Visual Capitalist” mbi mirëqenien subjektive dhe fuqinë blerëse ka arritur në një përfundim tronditës për ekonominë shqiptare.
Sipas ekspertëve, për të arritur atë që quhet “ngopje emocionale”, matësit tradicionalë nuk hyjnë më në punë. Njësia e re e matjes së mirëqenies në Shqipëri është keci i pjekur në hell.
Studiuesit sqarojnë se në terma ditorë, kjo do të thotë se çdo shqiptar duhet të konsumojë rreth 76 keca të pjekur në ditë për të fashitur çdo grimë të ankthit kombëtar dhe për të ndjerë paqe të plotë shpirtërore.
“Të dhënat tona tregojnë se paraja nuk sjell lumturi në Shqipëri nëse nuk përkthehet në erë mishi të pjekur mbi qymyr,” shpjegoi kreu i studimit, Unai Keller. “Paga mesatare aktuale mbulon vetëm 0.8 keca në vit, kryesisht në gusht, kur vjen djali nga Anglia dhe ndalon në Llogora. Kjo shpjegon pse 99.9% e popullsisë kalon 11 muaj të tjerë të vitit me nervat kaçurrel.”
Për të mbuluar këtë deficit masiv prej 27,999.2 kecash për frymë, Ministria e Bujqësisë ka njoftuar një nismë të re. Gjatë muajve të ardhshëm, çdo hapësirë publike do të pajiset me vatra pjekjeje me qymyr dhe kasapë falas.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.