/ Lajme

Ndryshimet e Kodit Rrugor: Të dehurve në timon u hiqet patenta përjetë, të droguarve u jepet leje ndërtimi

|Nga: Redaksia Lemza
Ndryshimet e Kodit Rrugor: Të dehurve në timon u hiqet patenta përjetë, të droguarve u jepet leje ndërtimi

TIRANË — Kuvendi ka kaluar ndryshimet më radikale në historinë e Kodit Rrugor, duke vendosur një vijë të qartë ligjore mes “veseve të fukarasë” dhe “hovit sipërmarrës të elitës”.

Sipas neneve të reja, çdo qytetar që kapet për herë të dytë nga Policia Rrugore me nivel alkooli mbi normën e lejuar, do t’i hiqet patenta përjetë.

Ndërsa shoferët që kapen nën efektin e lëndëve narkotike të shtrenjta nuk do të gjobiten. Përkundrazi, policia do t’u ofrojë në vendngjarje një formular të përshpejtuar aplikimi për leje ndërtimi për një kullë minimumi 50-katëshe brenda Unazës së Vogël.

“Duhet të kuptojmë kontekstin e ri makro-ekonomik,” sqaroi zëdhënësi i Policisë Rrugore, Juri Babarin. “Ai që pi raki apo birra është një dembel i rrezikshëm dhe pa ambicie. Ndërsa ai që i jep Range Rover-it në orën 3 të mëngjesit me nofulla të shtrënguara dhe sytë filxhan, ai njeri ka vizion! Ka energji! Kush jemi ne t’i presim hovin dikujt që është gati të derdhë beton për të ardhmen evropiane të Shqipërisë?”

Shoqata e Ndërtuesve e ka përshëndetur masën e re. Ajo thekson se ky ndëshkim do jetë veçanërisht i dobishëm gjatë fundjavave, kur frymëzimi arkitekturor në kryeqytet arrin majat falë lëndëve të para që konsumohen në klubet e Tiranës.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon