/ Kronikë

Babi përbetohet t'ia marrë të gjithë vlerën tualetit me pagesë

|Nga: Redaksia Lemza
Babi përbetohet t'ia marrë të gjithë vlerën tualetit me pagesë

ZADAR, KROACI — Një ndalesë rutinë në autostradën kroate A1 u kthye në një kryengritje kundër kapitalizmit kur shqiptari Hajdar Kovaçi zbuloi se duhej të paguante 1 Euro për të përdorur tualetin.

Z. Kovaçi, 66 vjeç, i cili po udhëtonte me familjen drejt Vjenës, mbeti i shtangur përpara mekanizmit që i kërkonte lekë për të hyrë në banjë. Në atë moment, ai u betua se Kroacia do ta paguante shtrenjtë atë 1 euro.

Sipas dëshmive të familjarëve, Hajdari i dha urdhër të birit: “Shkoni te makina, hapni kofanon të ftohet motori dhe ulni xhamat. Babi do vonohet, se do i bëj një shkarkim gjeneral sistemit. Nuk ia fal kroatit euron për një pikë shurrë.”

Për 35 minuta, Hajdari aplikoi teknika të frymëmarrjes së thellë dhe presione abdominale për të zbrazur plotësisht traktin e tij tretës. Synimi ishte hakmarrje e plotë ndaj asaj banje të mallkuar me pagesë.

Madje, në minutën e 30-të, ai piu me fund gjysmë litri ujë që kishte me vete, vetëm për të rifilluar procesin nga e para, i bindur se “zorra e trashë kishte ende kapital të pashfrytëzuar.”

Kur Hajdari doli nga tualeti, ai ecte drejt makinës sikur të ishte 15 vjet më i ri, me rripin e pantallonave dy vrima më ngushtë dhe 1 euro të shpenzuar më së miri.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon