TIRANË — Prokuroria e Posaçme mësohet se do kryej një trajnim intensiv për stafin e saj gjatë eklipsit diellor të ditës së sotme.
Sipas burimeve, prokurorët janë urdhëruar të dalin në tarracën e godinës në orën 19:38 për të parë drejtpërdrejt eklipsin për 4 minuta rresht, pa asnjë mjet mbrojtës apo filtër Ultra Vjollcë.
Sipas manualit të ri përgatitor që u është shpërndarë prokurorëve, qëllimi është verbërimi selektiv i aparatit shikues, ose siç quhet në mjekësi, Miopia Oligarkike.
Ky dëmtim i retinës do t’i lejojë ata të vijojnë të jenë të verbër ndaj krimit të nivelit të lartë, pa prekur ama nervin hetues për shkelësit e vegjël.
Klod Spase, prokuror pranë SPAK, i cili po bënte nxemje duke parë nga afër shkëndijat e saldimit në oborrin e Prokurorisë së Posaçme, u shpreh i paduruar për fenomenin natyror.
“Mezi e pres eklipsin sot,” pranoi ai për Lemza News. “Do ta zhbiroj pa i pulitur fare qepallat, gjersa të mos jem më i aftë të shoh vilat e ministrave në jug apo të lexoj dosjet e tenderave.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.