TIRANË — Një atmosferë festive ka përfshirë institucionet shqiptare pas renditjes në vendin e parë në botë në indeksin e sigurisë kibernetike (NCSI).
Për të nderuar këtë arritje historike të qeverisë shqiptare, hakerat iranianë kanë shpallur një fushatë promocionale për çdo qytetar të huaj, shërbim inteligjent armik, apo thjesht komshi kureshtar, të blejë paketat e plota të të dhënave personale të shqiptarëve 50% më lirë.
“Kur dëgjuam KM të deklaronte se Shqipëria është e para në botë me 98.33 pikë, na kapi euforia,” deklaroi një pjesëtar i grupit të hakerave, me pseudonimin Data_Bisha_99. “Aplikoni kodin promocional ALBANIA1 për të blerë me gjysmë çmimi të dhënat private të miliona shqiptarëve.”
Në një dalje për mediat mëngjesin e sotëm, Igli Tafa, drejtor i AKSHI-t, sqaroi se ulja e çmimit të të dhënave në tregun e zi është një tregues i qartë i zhvlerësimit të tyre, falë punës së shkëlqyer të agjencisë që ai drejton.
“Duke i ofruar të dhënat e të gjithëve me çmime të përballueshme, ne kemi eliminuar përfundimisht konceptin e ‘sekretit’ nga shoqëria shqiptare,” u shpreh zoti Tafa. “Nëse nuk ka sekrete, hakerat nuk kanë çfarë të vjedhin. Është një strategji ‘Open Source’ që as Amerika nuk e ka menduar.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.