MALLAKASTËR — Pamje të paprecedente vijnë nga vatrat aktive në pyjet e Mallakastrës. Burime nga terreni raportojnë se mjetet rrethanore me të cilat po shuhen flakët, si degët dhe shkurret, nuk janë autoktone por të importuara nga India dhe Filipinet.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile e ka justifikuar importimin e gjetheve të bananes dhe bambusë filipinase me argumentin se shkurret shqiptare e kanë humbur efikasitetin dhe refuzojnë të punojnë në fundjavë.
“Degët dhe shkurret e pyjeve tona janë dembelosur,” u shpreh për Lemza News zëdhënësja e ministrisë, Vilma Gogoli. “Sa herë përpiqemi t’i shuajmë flakët me to, ato thyhen ose shkrumbohen menjëherë. Kurse shkurrja e Indisë dhe Filipines është elastike, e bindur dhe nuk ka pretendime.”
Mirëpo, kjo nuk është pritur aspak mirë nga patriotët e zonës.
“Tërë jetën kemi fikur zjarre me degë lisi e me tuta sporti,” u ankua për Lemza News Ceno Hiri, 68 vjeç. “Është tradita jonë! Tani vjen shteti dhe na sjell mjete rrethanore filipinase. Kjo është fyerje e rëndë për shkurret e vatanit.”
Me sa duket, qeveria nuk do ndalet tek importi i shkurreve. Burime të pakonfirmuara pretendojnë se shteti po bën gati dhe importin e zjarreve pyjore nga azia, nëse zjarret vendase nuk shkaktojnë dëmin që pritet prej tyre.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.