TIRANË — Sipas një raporti të fundit të publikuar nga Eurostat, shqiptarët ruajnë marrëdhënie të ngushta me familjen, madje 25% e tyre takohen çdo ditë në gjykatën e shkallës së parë për 8m2 truall.
Sipas Eurostat, Shqipëria renditet e 7-ta në Evropë për “lidhjet e forta familjare”, duke lënë pas kombe të ftohta dhe pa ndjenja si Danimarka, ku vetëm 2.5% e njerëzve kërcënojnë me jetë vëllezërit dhe motrat për dritaren e banjës.
Shembulli më i mirë i këtij fenomeni është Risto Basha, 62 vjeç, nga Ali Demi. Çdo të hënë, të mërkurë dhe të premte, ai pi kafe me vëllanë e tij te bari përballë Gjykatës. Pasi paguajnë kafetë secili për vete, hyjnë brenda dhe akuzojnë njëri-tjetrin për falsifikim dokumentesh, tentativë vrasjeje me sqepar dhe vjedhje të 8 metrave katrorë tokë zallishte.
“Unë vëllanë e dua, kemi ndarë bashkë kafshatën e bukës,” përlotet Risto jashtë sallës së gjyqit. “Por ajo tokë më takon mua. Si mund t’i kthej shpinën tim vëllai pa i bërë një padi penale? Dashtë Zoti shkojmë deri në Gjykatën e Lartë bashkë.”
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, zvarritja e seancave gjyqësore cilësohet si “politikë pro-familjes”. Duke i lënë çështjet e pronave të pazgjidhura për 15 vite, shteti garanton që kushërinjtë të mos e harrojnë kurrë njëri-tjetrin.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.