/ Sociale

Gjeniu 8 vjeçar di përmendsh çdo gropë të autostradës Tiranë-Durrës

|Nga: Redaksia Lemza
Gjeniu 8 vjeçar di përmendsh çdo gropë të autostradës Tiranë-Durrës

SHKOZET — Ergi Silla, një 8-vjeçar nga Shkozeti i Durrësit, po habit komunitetin shkencor të vendit me talentin e tij të rrallë. Ai është i aftë të listojë në radhë kronologjike secilën prej 4320 gropave përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, si të ishte formulë matematikore.

Prindërit rrëfejnë se aftësia e tij lindi gjatë udhëtimeve të përditshme me të atin drejt Tiranës. Sipas Ergit, autostrada Tiranë-Durrës është një muze arkeologjik në qiell të hapur, ku çdo gropë tregon një pjesëz të historisë së tranzicionit shqiptar..

“Është goxha e lehtë në qoftë se e përsërit mjaftueshëm,” shprehet për Lemza News djaloshi, teksa udhëzon me përpikëri të atin nga ndenjësja e pasagjerit. “Pas 30 metrash, te kilometri 14, është gropa e shtatorit 2018, krijuar gjatë shiut të parë pas tenderit të tretë. Freno pak dhe manovro nga e majta!”

Sipas databazës së tij, gropa më e vjetër aktive që ende nuk është mbyllur ndodhet 500 metra pa dalë te mbikalimi i Sukthit, dhe daton që nga vjeshta e vitit 2013, para se vetë Ergi të ishte lindur.

Prindërit e Ergit kanë njoftuar se djali po stërvitet tani për sfidën e ardhshme, memorizimin e gropave të Rrugës së Arbrit, edhe pse mjekët e kanë paralajmëruar se truri i njeriut nuk ka kapacitetin e mjaftueshëm për atë aks.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon