TIRANË — Një operacion thuajse ushtarak ka ndodhur sot në një kuzhinë në Tiranë, ku ardhja e papritur e një koke viçi prej 9 kilogramësh, dërguar nga xhaxhai me furgonin e linjës, detyroi familjen Prenga të riorganizonte me themel raftet e frigoriferit.
Për t’i bërë vend këtij simboli të gastronomisë tradicionale, kryefamiljarja Loreta Prenga u detyrua të çmontonte dy rafte xhami, të hiqte sirtarin e perimeve dhe të shpallë të prishura gjysmën e ushqimeve të javës.
“Nuk kisha zgjedhje tjetër,” shpjegoi zonja Loreta me dorashka kuzhine në duar. “Koka e viçit duhet respektuar. Qumështi i bajames dhe kefiri i vajzës nuk kanë asnjë vlerë para paçes së kokës në hierarkinë ushqimore.”
Përveç ndryshimit të rafteve të frigoriferit, ardhja e kokës së viçit ka ndryshuar rrënjësisht edhe zakonet e natës të familjes.
Leo Prenga, 17 vjeç, dëshmoi se ecejaket e tij të natës për të futur diçka të ëmbël në gojë kanë marrë fund përfundimisht:
“Sa herë që hap derën e frigoriferit për të pirë dy gllënjka kola, sytë prej kufome të kokës së viçit më shohin tërë gjykim dhe ma heqin nepsin.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.