FSHAT MALOR — Pasi kaloi tre vjet e gjysmë duke plotësuar tabela Exceli në një drejtori rajonale në Tiranë, Frenki Maloku, specimen i rrallë i Patronazhistus Vulgaris, braktisi zyrën me kondicioner për të ndërmarrë udhëtimin më të rëndësishëm të jetës së tij: ngjitjen e vështirë drejt shpatit të malit ku lindi, me qëllim kryerjen e ritualit të çiftëzimit.
Sipas biologëve politikë, ngjitja e patronazhistit në habitatet malore nuk bëhet për mallin e vendlindjes, por sepse në Bllok apo te Komuna e Parisit femrat kërkojnë të jesh investitor strategjik, ndërsa në fshat ende bën efekt puna si specialist te Tatimet, dhe aksesi te e-Albania.
“Në këtë stinë të vitit, mashkulli alfa i patronazhit nuk përdor parfume apo lule për të tërhequr partneren,” shpjegon studiuesi i habitateve rurale, Idromen Kola. “Ai ulet në lokal të fshatit, nxjerr databazën e gjendjes civile dhe zgjedh vajzën me bindje të njëjta politike.”
Udhëtimi nuk është pa rreziqe. Në këtë shtegtim të gjatë përmes rrugëve të pashtruara, patronazhisti përballet shpesh me predatorët e zonës, kryesisht dajat e nuses që kanë punuar në Angli dhe që e përqeshin: “Për sa lekë në muaj qorron sytë me numra?”
Për t’u mbrojtur, mashkulli përdor mekanizmin e kamuflazhit dhe premton shtrimin e 200 metrave rrugë me zhavorr.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.