/ Rajoni
/ Teknologji

Sqaron MEPJ: Himni shqiptar u luajt në Pustec, por në një frekuencë që dëgjohet vetëm nga guguçet

|Nga: Redaksia Lemza
Sqaron MEPJ: Himni shqiptar u luajt në Pustec, por në një frekuencë që dëgjohet vetëm nga guguçet

TIRANË — Pas incidentit në Pustec, ku në prani të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut u dëgjua vetëm himni i vendit fqinj gjatë një aktiviteti, MEPJ ka dalë me një sqarim shkencor që sqaron gjithçka.

Përmes një deklarate për shtyp, Ministria njoftoi se Himni Kombëtar Shqiptar u luajt i plotë, nga strofa e parë deri te e fundit, por në një frekuencë nën 20 Hz, e pa perceptueshme nga veshi njerëzor, por qartësisht e dëgjueshme nga guguçet, lakuriqët e natës dhe qentë e stanit në zonën e Prespës.

“Nuk ka pasur asnjë shkelje protokolli,” shkruhet në deklaratë. “Nuk mund t’i ngarkojmë veshët e fqinjëve tanë me decibelë të lartë patriotizmi. Përdorimi i frekuencave që kapen vetëm nga fauna lokale garanton që sovraniteti ynë të jetë i pranishëm në ajër, pa shkaktuar keqkuptime te delegacioni mik.”

Banorët e Pustecit konfirmuan për Lemza News se gjatë kohës kur duhej të dëgjohej himni jonë, pati një reagim të çuditshëm natyror. 300 guguçe që qëndronin mbi çatinë e Bashkisë u ngritën papritur në fluturim, duke mbajtur krahët në pozicion nderimi ushtarak për 2 minuta e 40 sekonda.

Pavarësisht këtij suksesi teknologjik, Ministria paralajmëroi se nëse fqinjët do të vazhdojnë të ankohen për ‘vibrime në ajër’, në të ardhmen, Himni Shqiptar do të performohet vetëm në kodin mors.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon