BERAT — Nënë Qamile Marra, e cila sapo festoi 117-vjetorin e saj të lindjes pa diabet, pa tension dhe pa marrë asnjë ilaç të vetëm në jetë, i ka lënë mjekët pa fjalë.
Për këtë arsye, një ekip mjekësor u nis drejt fshatit Ferras të Beratit për të kryer ekzaminimet përkatëse, në tentativë për të gjetur sekretin e jetëgjatësisë së saj. Zbulimi i tronditi mjekët.
Sipas tyre, përveç mishit të pulës, bulmetit të fermës apo fshesës së oborrit, jetëgjatësia e Qamiles vjen kryesisht si rrjedhojë e ekspozimit minimal ndaj transmetimeve televizive të Edi Manushit.
“Në fillim menduam se sekreti ishte ajri i Beratit apo mishi i fshatit,” deklaroi Uzun Myrtua, kreu i ekipit mjekësor që ekzaminoi 117-vjeçaren. “Por pas skanimit cerebral zbuluam se nënë Qamillja e ka lëvoren e trurit tërësisht të pacenuar nga efekti Manush. Kjo i ka kursyer sistemit të saj nervor rreth 50 vite plakje.”
Përveç mosekspozimit ndaj subjektit Manush, mjekët këshillojnë gjithashtu fikjen e televizorit në orën 21:00 gjatë ditëve të javës, kur nisin panelet e analizës politike, në mënyrë që të shmangin mikro-infarktet e shkaktuara nga britmat e gjashtë analistëve që flasin njëkohësisht.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.