/ Kronikë

Greva e punonjësve shmanget me një ekspres të ri kafeje

|Nga: Redaksia Lemza
Greva e punonjësve shmanget me një ekspres të ri kafeje

KASHAR — Kur stafi i një kompanie farmaceutike kishin paralajmëruar grevë për shkak të pagave të prapambetura dhe mungesës së ajrit të kondicionuar, bordi drejtues arriti të firmoste “Paktin e Madh të Paqes” duke instaluar një ekspres të ri kafeje me kapsula në zyrë.

Marrëveshja u arrit pas katër orësh negociatash, ku kërkesat e punonjësve për “pagë dinjitoze” u zëvendësuan gradualisht nga kurioziteti për të parë si funksionon butoni i cappuccino-s.

“Në fillim të mbledhjes hyra me vendosmëri për të kërkuar 30% rritje rroge dhe më shumë ditë leje vjetore,” deklaroi një prej punonjësve, me një filxhan expresso double në dorë. “Por drejtori hoqi nga kutia makinerinë e re të kafesë dhe na tregoi që ajo bënte edhe shkumë qumështi me trysni 15 bar. Aty kuptova që dinjiteti njerëzor është koncept relativ. Pse na duhen rritja e rrogës kur kemi kafe falas te zyra?”

Departamenti i Burimeve Njerëzore e ka cilësuar këtë arritje si një model që duhet studiuar në universitetet më të mira të biznesit në botë.

“Kërkesat e punëtorëve për pagë dinjitoze janë një reflektim i mungesës së kafeinës në gjak,” sqaroi drejtoresha e Burimeve Njerëzore, Diana Helmësi. “Punonjësit nuk duan pará, duan një pretekst për të qëndruar 45 minuta te korridori për të bërë thashetheme. Duke u dhënë këtë ekspres, ne u dhamë atyre një arsye për të mos punuar, që është saktësisht ajo që kërkonin që në fillim.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon