/ Sociale

Prindërit i shmangen pyetjes së djalit të tyre se nga vijnë pleqtë

|Nga: Redaksia Lemza
Prindërit i shmangen pyetjes së djalit të tyre se nga vijnë pleqtë

TIRANË — Një çift i ri është gjendur krejt i papërgatitur këtë fundjavë, kur djali i tyre 6-vjeçar u bëri pyetjen më të sikletshme që has një prind: “Mami, babi… nga vijnë pleqtë?”

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur te Parku i Liqenit, kur i vogli, pasi vëzhgoi një zotëri me bastun që po ankohej për rininë e sotme, u kthye nga prindërit plot kureshtje. Për të fituar kohë dhe për të shmangur traumën psikologjike, nëna e djalit, Blerta, përdori gënjeshtrat klasike që kanë përdorur breza të tërë prindërish para saj.

“I thashë që pleqtë i sjell lejleku dhe i lë te dera e Postës kur shpërndahen pensionet,” tregon ajo, ende e stresuar. “Pastaj i ati, Ervini, u hodh dhe i tha që pleqtë gjenden poshtë gjetheve të lakrës në tregun e fshatarëve. Çuni u gëzua shumë dhe na kërkoi të mbillnim një gjysh në ballkon.”

Situata doli jashtë kontrollit kur 6-vjeçari, i pakënaqur me përgjigjet e prindërve, sfidoi autoritetin e tyre me informacionet e marra në rrugë.

“Më tha që Noeli, shoku i lagjes, i kishte treguar të vërtetën,” deklaron Ervini duke fshirë djersët. “Noeli i kishte thënë se pleqtë nuk i sjell lejleku, por ata krijohen kur dy njerëz të rritur e duan shumë njëri-tjetrin, hapin një kredi 20-vjeçare në bankë, dhe fillojnë të shohin emisionet politike të darkës çdo natë derisa u bien flokët dhe u krimbet zemra.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon