TIRANË — Pas një viti në detyrë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka paraqitur dorëheqjen nga posti që mbante.
Mësohet se akti i largimit erdhi nga një nevojë urgjente ekzistenciale për t’i kujtuar vetes se ishte ministre.
Burime pranë ministrisë bëjnë me dije se vetë Sala kishte muaj që kalonte pranë godinës së institucionit pa e ditur se zyra me pamje nga Rruga e Kavajës ishte e saja.
Lajmi për dorëheqjen ka krijuar konfuzion të madh në radhët e stafit mjekësor në QSUT. Shumë mjekë dhe infermierë u mblodhën te korridoret e spitalit për të kuptuar se kush po largohej.
“Ne mendonim se pas shkarkimit të ministres së kaluar, Ministria e Shëndetësisë kishte mbetur pa kokë,” u shpreh një kardiolog i indinjuar. “Gjatë gjithë këtij viti, kur na mungonin fashat apo ilaçet, ne ia vinim fajin sistemit në përgjithësi. Tani që doli deklarata e dorëheqjes kuptuam që paska pasur një njeri me mish e me kocka që rrinte në atë godinë. Çfarë nuk të dëgjojnë veshët.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.