TIRANË — Një çast poshtërimi profesional dhe lëndimi fizik ka ngjarë sot në departamentin e marketingut në një kompani private në Tiranë.
Pasi bërtiti “Është hera e fundit që ndodh!” dhe i dha një goditje me grusht tavolinës së drurit, Drejtori i Përgjithshëm u detyrua ta përsëriste veprimin edhe një herë, pasi askush nga punonjësit nuk e regjistroi goditjen e parë.
Sipas dëshmitarëve, goditja e dytë ishte dukshëm më e dobët për shkak të lëndimit të noçkave, por u shoqërua nga një “Morët vesh?!” më kumbues.
“Ishte shumë cringe,” tha Tea Kondi, një nga punonjëset e pranishme në mbledhje. “Te goditja e parë iu drodh vetëm filxhani i kafesë. Tek e dyta iu skuq dora, i dolën lot nga dhimbja dhe po shtrëngonte grushtet. Aty na erdhi keq dhe vendosëm t’i jepnim pak vëmendje.”
Pasi vendosi një një qese me akull te zyra e financës, shefi njoftoi se do të sigurohet të blejë një tavolinë të re me sipërfaqe më akustike, në mënyrë që zemërimi i tij të regjistrohet që në goditjen e parë.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.