TIRANË — Burime pranë Lemza News bëjnë me dije se këngëtari Jozefin Marku ka revolucionarizuar marrëdhënien artist-fans. Mësohet se pas përfundimit të koncertit të tij të fundit, ai njoftoi se ka braktisur përfundimisht stilolapsat dhe selfie-t.
Tani e tutje, i vetmi autograf zyrtar i Jozefin Markut do të jetë një shpullë surratit, e cila lë pas një vulë të kuqe me pesë gishta stampuar në lëkurë.
“Autografet me stilolaps janë koncept demode,” deklaroi Marku teksa lyente gishtat me një vaj hidratues para se të fillonte seancën e ‘nënshkrimeve’. “Vula e shuplakës në surratin e fansit është firma ime origjinale. Një autograf biometrik që nuk ia vjedh dot askush.”
Të rinjtë që dolën nga seanca e autografeve e kishin të pamundur të fshihnin gëzimin, teksa mbanin pako me bizele të ngrira mbi mollëza për të ruajtur formën e vulës.
“Isha i 40-ti në radhë,” rrëfen Erioni (19 vjeç), duke treguar faqen e majtë të kuqe flakë. “Më futi një shpullë aq të fortë saqë m’u mpinë edhe dhëmbët e prapmë! Ama ia vlen!”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.