TIRANË — Për habi të foshnjës 1-vjeçare Rigers Hila, ninulla e ëmbël e së ëmës befas mori nota kërcënuese në vargun e fundit.
“Fli se më hëngre shpirtin,” mësohet të ketë bërtitur Anita Hila në drejtim të kërthirit të pafajshëm.
Sipas ekspertëve të folklorit, ninullat tradicionale shqiptare nisin me romantizmin e Naim Frashërit, por pas minutës së 45-të të pagjumësisë së fëmijës, degjenerojnë në horrore a la Stephen King.
Ky transformim i dhunshëm poetik ndodh sepse prindërit e rinj i shterojnë rimat me fjalët “hënë”, “zemër” dhe “yll”, duke kaluar automatikisht në arsenalin e kërcënimeve ekzistenciale.
“Fenomeni është i pandalshëm,” shpjegon ekspertja e folklorit, Etleva Mujhalili. “Vargu i parë është i ëmbël: ‘Nina-nana drita e syve, rritu i bukur si sorkadhe’. Por kur fëmija hap sytë sterr të zinj për të 14-ën herë dhe grindet, melodia mbetet e njëjtë, por teksti merr kthesë të errët: ‘Fli se na hëngre shpirtin, do të lë jashtë te dera e komshiut që të të të hajë qeni.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.