TIRANË — Tregu i pasurive të paluajtshme në kryeqytet ka regjistruar sot transaksionin më të shpejtë në historinë e tij. Bron Domi, 28 vjeç, ekspert i “hortikulturës” në Britaninë e Madhe, u detyrua të blejë një apartament 1+1 për 250,000 euro, vetëm për të përdorur tualetin e një agjencie Real Estate te 21 dhjetori.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, ngjarja u zhvillua në më pak se dy minuta. Broni, i veshur me tuta Armani, bluzë Balenciaga dhe me një çantë të zezë lëkure të ngjeshur pas kraharorit, hyri me nxitim në zyrat e agjencisë duke kërkuar tualetin.
“Kisha pirë tre Red Bull dhe dy makiato” shpjegoi Broni me çelësat e një Range Roveri në dorë. “I thashë recepsionistes nëse mund të përdorja tualetin. Ajo më pa shtrembër dhe më tha se rregullorja e kompanisë e lejonte përdorimin e tualetit vetëm për klientët. S’kisha nerva të debatoja, kështu që hapa çantën, i hodha tre tufa me paund mbi tavolinë dhe bleva një 1+1 për 250,000 euro.”
Gjatë kohës që Broni ndodhej në tualet, stafi i agjencisë përgatiti të gjithë dokumentacionin noterial. Pasi doli, ai fshiu duart, hodhi një firmë të shpejtë në fund të fletës pa e lexuar fare se në cilin kat e kishte shtëpinë, dhe u largua me çelësat e saj në dorë.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.