/ Politikë
/ Kulturë

Rama sjell Çerçiz Topullin në bulevard për të trembur protestuesit

|Nga: Redaksia Lemza
Rama sjell Çerçiz Topullin në bulevard për të trembur protestuesit

TIRANË — Mësohet se, me urdhër të vetë KM Edi Rama, manekini skandaloz i Çerçiz Topullit është transferuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku do të shërbejë si dordolec kundër protestuese të Flamingo Revolution, të cilët vazhdimisht i etiketon si sorra.

“Ju përshëndesh nga Bulevardi, ku dordolec Topulli ka nisur një jetë të re, gati për t’i futur tmerrin sorrave të revolucionit,” rreh gjoksin KM në një status në rrjetet sociale.

Strategjia duket se po jep rezultate të menjëhershme. Protestuesit u shpërndarë në panik të shtunën mbrëma, sapo u përballën me instalacionin e ri.

“Kjo shkel Konventën e Gjenevës,” deklaroi me zë të dridhur një nga protestuesit, tek largohej me vrap drejt Piramidës. “Ne ishim përgatitur për përplasje fizike, jo për këtë manekin të veshur me fustanellë që ngjan si kukulla e filmave Conjuring.”

Duke parë suksesin e kësaj strategjie, mësohet se Ministria e Brendshme do të krijojë “Regjimentin e Parë Anti-Sorrë” me manekinë të shkarravitur me lapustil dhe të veshur me rrobat e figurave të kombit.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon