/ Teknologji

Nga 1 tetori, kodi i autentikimit në e-Albania do të sillet në derën tuaj personalisht nga Ergys Agasi

|Nga: Redaksia Lemza
Nga 1 tetori, kodi i autentikimit në e-Albania do të sillet në derën tuaj personalisht nga Ergys Agasi

TIRANË — Duke nisur nga data 1 tetor, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka vendosur të braktisë metodat e pasigurta dhe demode si SMS-të për dërgimin e kodit të autentikimit.

Në vend të kësaj, qytetarët që duan të hyjnë në e-Albania do të përfitojnë nga një shërbim sigurie i nivelit të padëgjuar. Kodi gjashtëshifror do t’u sillet në derën e shtëpisë, fizikisht dhe personalisht, nga Ergys Agasi.

Sipas njoftimit zyrtar të AKSHI-t, ky është hapi i fundit dhe më efikas drejt mbrojtjes absolute të të dhënave, pasi e bën përgjimin digjital të pamundur.

“Kemi vënë re se SMS-të shpesh vonohen, plus janë të komprometueshme,” shpjegoi AKSHI. “Nga ana tjetër, Ergys Agasi është i kudondodhur, i pagjurmueshëm nga radarët kibernetikë dhe ka akses kudo. Ai do të shfaqet te pragu i derës suaj, do t’ju pëshpëritë 6 shifrat e kodit në vesh dhe do të largohet. Ky është Autentikimi më i sigurt në Ballkan.”

E vetmja sfidë logjistike për qeverinë mbetet periudha e fluksit të aplikimeve për bursa apo regjistrime në shkolla. Për të përballuar mbi 50,000 kërkesa log-in në sekondë, mësohet se institucioni do t’i blejë Agasit një skuter elektrik me fondet e emergjencës.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon